Më datë 16 janar 2015 në ora 17:00 në auditoret e UET ( Auditori A-307) u organizua një seminar ndërgjegjësimi me studentët e këtij institucioni arsimore në lidhje më çështjet që i përkasin të drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me të në Republikën e Shqipërisë. Ky aktivitet vjen në kuadër të sensibilizimit dhe të informimit të të gjithë komunitetit dhe shoqërisë si dhe kategorive të caktuara /grupe interesi, që ZSHDA, ka në fokus parësor të punës së saj. Aktiviteti organizohet me mbështetjen e Universitetit Europian të Tiranës (UET). 
 
Ky aktivitet përvec natyrës së tij informuese dhe sensibilizuese mbi çështjet e të drejtave të autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të në Shqipëri, ka si qëllim dhe edukimin e brezit që rritet duke u kultivuar atyre rëndësinë që mbart respektimi dhe mbrojtja e këtyre të drejtave në zhvillimin ekonomik dhe socio-kulturor të vendit. UET është universiteti i parë ku fillon cikli i leksioneve të hapura nga specialistët e ZSHDA-së, për të vijuar më tej me të gjithë universitetet publike dhe private në Shqipëri, sipas një grafiku të mirë-përcaktuar.
 
Zbatimi i së drejtës në lidhje me mbrojtjen e pronësise intelektuale, është një element themelor për zhvillimin e konkurrencës së rregullt dhe të drejtë në çdo aspekt të jetës sociale dhe ekonomike të një vendi.
 
Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, në nenin 27 të saj specifikon se: “Gjithkush ka të drejtë të mbrojë interesat morale dhe materiale, që rrjedhin  nga çdo krijimtari shkencore, letrare dhe artistike, autor i të cilave është ai vetë”
 
Ministria e Arsimit luan një rol thelbësor në krijimin dhe forcimin e ndërgjegjshmërisë qytetare në çështjet e të drejtave të pronësisë intelektuale. Pikerisht, ndërgjegjësimi i publikut si dhe arsimimi në këto çështje janë ndër shtyllat kryesore të strategjie Kombëtare të Zbatimit të të Drejtave të PI 2010-2015.
Sa më i madh të jetë informimi i konsumatorit dhe i shoqërisë në tërësi për rëndësinë dhe rolin e të drejtave të PI-së, aq më i ulët do të jetë niveli i piraterisë dhe shkeljeve të tjera në vend
Takimi është menduar të jetë në formën e prezantimeve të ndryshme që do të bëhen nga Drejtori i ZSHDA- së, Z. Evien Dako dhe lektorë që japin Lëndën e Pronësisë Intelektuale në UET, si dhe në formën e bashkëbisedimit me studentët, duke e ilustruar me shembuj nga praktika gjyqësore shqiptare.
 
Pritshmëritë nga ky takim do të jenë pozitive. Edukimi dhe informimi i brezit të ri është  themelor në uljen e piraterisë në një vend. Shoqëria shqiptare vjen nga një mentalitet i cunguar sa i përket respektimit të mendjes së njeriut, pasi krijimtaria konsiderohej pronë publike. Eksperienca botërore ka treguar rezultate të dukshme dhe realiste në këtë drejtim. Ajo ç`ka synohet të arrihet nëpërmjet kësaj nisme janë:
 
ü  Përcaktimi i roleve dhe i përgjegjësive që kanë Institucionet Arsimore se bashku me Ministrinë në zbatimin e të drejtave të pronësisë Intelektuale
 
ü  Zhvillimi i kurrikulave mesimore në të gjitha nivelet e arsimimit, duke përfshire në to edhe temat të vecanta të drejtave të pronësisë intelektuale.
 
ü  Fushata periodike ndërgjegjësimi që bazohen në krijimtarinë e zhvilluar nga vetë nxënësit dhe studentët.