big_big_ligji_per_te_drejten_e_autorit

Pas miratimit të ligjit të ri për të drejtat e autorit në 31 mars 2016 miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave 3 vendime të rëndesishme për reformimin e plotë në fushën e të drejtave të autorit dhe të drejtat e lidhura me to.

Konkretisht, me  këtë vendim krijohet Këshilli Kombëtar për të Drejtën e Autorit,  një organ kolegjial i specializuar për miratimin e metodologjisë së tarifave të shpërblimit të veprave të së drejtës së autorit që konsumohen nga subjektet përdoruese në Shqipëri.

Me këtë akt i jepet fund konfuzionit të tarifave që duhet të paguajnë subjektet përdoruese ndaj Agjencive të Administrimit Kolektiv, të cilat licencohen nga Ministria e Kulturës, për të kryer funksionin publik, atë të mbledhjes së të ardhurave nga përdorimi dhe shpërndarjes tek artistët dhe autorët shqiptarë.

Gjithashtu ky vendim ka ndikimin e drejtëpërdrejtë në formalizimin e tregut, në rritjen e peshës së numrit të përdoruesve që paguajnë për artistin krijues të veprës si dhe rritjen potenciale të buxhetit të shtetit në vjeljen e detyrime tatimore nga kontatat mes palëve në tregun shqiptar.

Tashmë tarifat e miratuara në bazë të kritereve të qarta dhe të standartizuara me vendet e BE-së do të publikohen në faqen e publikimeve zyrtare dhe do të zbatohen për dy vite nga miratimi i tyre.

Nëpërmjet këtij vendimi shmanget arbitrariteti për bizneset private dhe rregullohen me në fund marrëdhëniet ekonomike përdorues – autor – agjenci.

Në qendër të reformimit që Ministria e Kulturës ka nisur në ketë mandat qeverisës është AUTORI, talenti i tij krijues duke respektuar gjithashtu të drejtën e përdoruesve për ushtrimin e veprimtarisë së tyre në vendin tonë.

Me krijimin e Këshillit Kombëtar për të Drejtën e Autorit vendosim në sistem parimin e transparencës dhe propocionalitetit në shfrytëzimin e veprave të autorëve, duke mbështetur fuqimisht krijuesit për t’u shpërblyer në mënyre të drejtë për punën dhe talentin e tyre.

Ky organ do të vendosë për këto metodologji tarifash me profesionalizëm, paanësi, transparence maksimale në mbledhjet që do të mbahen, duke siguruar aksesin per të gjithë grupet e interesit, në zbatim të parimeve ligjore dhe praktikave më të mira evropiane të fushës.

Vendimi i dytë i miratuar rregullon tarifat, me të cilat do të operojë Drejtoria e të Drejtës se Autorit. Me anë të këtij vendimi rritet gama e shërbimeve që ofron drejtoria në zbatim të ligjit të ri në fuqi, duke bërë një kategorizim më të qartë të këtyre shërbimeve, në funksion të dhënies së informacionit teknik më të specializuar të fushes për çdo autor, përdorues dhe çdo procedurë tjeter administrative apo gjyqësore.

Vendimi i tretë ka të bëjë me rregullimin e procedurave të regjistrimit të të drejtave të autorit, pajisjes me certifikatën e autorësisë, regjistrimin e kontratave dhe marrëveshjeve të palëve, organizimit dhe e klasifikimit administrativ të këtyre të drejtave duke krijuar tashme një kuadër të plotë administrativ të funksionimit të kësaj drejtorie pranë Ministrise së Kulturës.

Nëpërmjet këtij akti ndërtojmë një kuadër të plotë për të siguruar një database moderne të kopjeve të veprave të artistëve shqiptare. Kjo, si dëshmi e ruatjes se kulturës kombëtare dhe veprave artistike për t’i rezistuar kohës, për brezat që krijojnë muzikë, pikturë, vepra letrare dhe dramatugjike, programe kompjuterike apo bazë të dhënash, kompozime muzikore, krijime audiovizuale, arkitekturore, shkecore, arte pamore, fotogratike etj.

Nderkohë në muajin Tetor 2016 është miratuar dhe Udhëzimi i Ministrit të Kulturës për rritjen e standarteve operuese dhe nivelin arsimor e profesional të aparatit të agjencitë kolektive, si nje detyrim profesional për të zbatuar licencen e marrë karshi përdoruesve si dhe për të shërbyer cilësisht, sikundër funksionojnë agjencitë simotra në Evropë,  kundrejt anëtarëve artistë që ato përfaqësojnë.

Besojmë fort në reformimin që kemi nisur, për të transformuar tërësish marrëdhëniet krijues-agjenci- përdorues, në mënyrë që arti dhe kultura shqiptare të ecë drejt një tregu të standardizuar evropian, që krijon cilësi artistike, prodhon të ardhura nga mundi dhe talenti artistik dhe rrit mundësinë për zhvillimin e ekonomisë krijuese në vendin tonë.

LIGJI_TE_DREJTAT_E_AUTORIT,_MIRATOHEN_3_VENDIME_TË_RËNDËSISHME